/ATSH-// Kryeministri Edi Rama kërkoi sot që “pensionistëve të vetmuar t’u sigurohet gjithçka nga shteti në banesë dhe të mos lejohen të dalin nga shtëpia”.

“Dola sot me drejtuesit e Policisë dhe situata është goxha më mirë në treg, por kemi dy probleme që duhen adresuar me urgjencë. Pensionistët duhen kthyer në shtëpi. Pensionistët që janë vetëm duhen shërbyer nga ne dhe të tjerët duhen ndihmuar nga fëmijët që i kanë në të njëjtin qytet, por Policia duhet të kthejë mbrapsht çdo të moshuar në shtëpi pensionistët duhen kthyer nga rruga. Patrullat e Policisë me makina që bëjnë mbikëqyrjen nuk duhet të vazhdojnë rrugën kur shohin një pensionist. Këtu duhet të ndërhyjë edhe ushtria. Po ashtu, duhet të ndalohet ecja bashkë pasi është e rrezikshme. Duhet t’u vendosen gjoba atyre që nuk respektojnë rregullin. Edhe Italia e vendosi pak ditë më parë sekuestrimin e makinave ndërkohë që ne e kishim që nga fillimi si masë”, tha Rama.

Pasi dëgjoi shifrat e personave që kanë shkelur rregullat, Rama tha se, “po të ishim në kushte normale me këto shifra do të ishim vendi i parë në botë, por me këto kushte lufte nuk duhet të kënaqemi deri në fund”. “Po minimizohet fenomeni, tregjet janë stabilizuar goxha dhe orari i kufizimeve tregon se funksionon, por duhet ta shtrëngojmë deri në fund që të shpëtojmë çdo familje. 1 mijë veta nuk janë gjë në raport me popullsinë, por janë 1 mijë vatra rreziku për ata dhe familjen, ndaj duhet të mbrojmë çdo jetë me çdo çmim”, tha Rama.

Rama tha se “në lëvizjen e përgjithshme është vënë rregull dhe janë shkelje të vogla, por duhet kujdes me lëvizjen e këmbësorëve dhe pensionistëve”.

“Kemi trokitur mbi 30 mijë dyer, do të shkojmë te të gjithë. Duhet të targetojmë me shumë kujdes pensionistët dhe duhet të shkojmë ne t’ia bëjmë shërbimin. Po ashtu duhet të garantojmë çuarjen e pensioneve në shtëpi. Skema e çuarjes së pensionit në shtëpi duhet të funksionojë me se s’bën”, tha Rama.