/14/04/2020// ATSH-Kryeministri Edi Rama deklaroi mbrëmjen e se henes se “të shtunën  do të nisin fluturimet për riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë fillimisht nga Roma”.

Kreu i Ekzekutivit bëri të ditur se “në kuadrin e lehtësimeve me pikatore, ashtu siç edhe e paralajmërova javën e shkuar, ne kemi gati planin për rihapjen shumë të  kujdesshme të rrugës së riatdhesimit”.

“Nesër do të bëjmë publike modalitetet dhe të shtunën e kësaj jave do të nisim fluturimet, fillimisht nga Roma. Kush dëshiron të riatdhesohet, do të prenotojë avionin, bashkë me hotelin përkatës në zinxhirin e hoteleve të vëna në dispozicion si struktura karantinë. Detajet do të jepen nesër të gjitha shpjegimet nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila drejton grupin ndërministror të punës për këtë proces sa të nevojshëm, aq edhe delikat”, deklaroi Kryeministri.

Duke iu drejtuar një mesazh qytetarëve të mbetur jashtë kufijve, Rama tha se “u kërkoj të gjithë atyre një ndjesë të sinqertë të madhe, sepse e marr me mend, më dhemb mundimi i tyre i pazakontë në kushtet e pamundësisë për ty kthyer në atdhe, në shtëpinë e tyre e njëkohësisht u them turp, shumë turp, të gjithë të tjerëve që luajnë patriotash e demokratash me këtë hall të madh të njerëzve! Turp, sepse të luash patriotash e demokratash, të flasësh për bij të shqipes që i janë prerë krahët nga diktatura e Tiranës apo për mohimin e të drejtës elementare të lëvizjes drejt shtëpisë kur ne kemi marrë këtë masë ekstreme e të tjera masa ekstreme pikërisht për të qenë këtu ku jemi sot në raport me një armik të padukshëm që do të na kishte grirë nëse nuk do merrnim këto masa, do të thotë  të nxisësh infektimin masiv të popullit e të ndjellësh katastrofën  humanitare, të cilën edhe falë sakrificës së atyre mijëra shqiptarëve që janë jashtë kufijve e që vuajnë pamundësinë e kthimit në shtëpi, ne kemi arritur ta pengojmë. Gjithsesi, do të kemi kohë për të folur për këto ynere pseudopatriotike kur të mbarojë e gjitha kjo”.//R-SR//